Loina Prifti e IDENTITEK i jep tender pa garë djalit të Aleksandër Meksit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 23.02.2024, 21:50

IdentiTek është kompania që aktualisht merret me prodhimin dhe shpërndarjen e letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike për shtetasit shqiptarë. Statusi i saj është shoqëri aksionere dhe është në varësi të qeverisë. Aktualisht administrohet nga Loina Prifti të cilës jo pak herë i ka dalë emri në media për shkak të tenderave të dyshimtë.

I tillë duket edhe ai i radhës ku i ka dhënë rreth 30 milionë lekë të vjetra (me TVSH) djalit të Aleksandër Meksit. Ish-kryeministri në detyrë në kohën e fajdeve, jo vetëm që nuk mbajti asnjë përgjegjësi ligjore ndaj shkatërrimit të qindra-mijëra familjeve shqiptare që humbën paratë dhe shtëpitë, por tashmë nëpërmjet fëmijëve të tij vazhdon dhe vjedh paratë e popullit të gjorë shqiptar.

Tenderi është zhvilluar me procedurë “me negocim, pa njoftim”, pra praktikisht pa garë. Sa për sy e faqe, kanë marrë pjesë edhe dy kompani të tjera të cilat bashkë më kompaninë e djalit të Aleksandër Meksit, rezulton të jenë njoftuar direkt nga IDENTITEK për tenderin, pra pa garë të hapur. Të treja kompanitë kanë dhënë shifra thuajse të njëjta, çka nga praktika e manipulimit të tenderave sugjeron për fitues të paracaktuar.

Kështu, Loina Prifti dhe shefi i saj Rama, kanë gostitur Endri Meksin dhe kompaninë e tij MC NETWORKING, me rreth 30 milionë lekë të vjetra (me TVSH) nga paratë e popullit. Dyshimet se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar i përforcon akoma më shumë fakti se vlera e ofruar nga Meksi është sa 96% e fondit limit të tenderit.

Me pak fjalë, pasi babai Aleksandër Meksi çoi drejt rrënimit qindra-mijëra familje nga skemat piramidale, sot është djali i tij që vjedh paratë e shqiptarëve. Ndërkaq SPAK duket se po fle gjumë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit