Vjedhje spektakolare/ Universiteti Elbasan i jep 8 miliardë hajdutit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 29.02.2024, 21:13

Universiteti Aleksandër Xhuvani Elbasan i ka dhënë plot 8 miliardë lekë të vjetra me TVSH një hajduti. Kjo është realizuar nëpërmjet një tenderi shumë të dyshimtë që mban numrin e referencës REF-92089-12-26-2023 dhe ka si objekt “Ndërtim i godinës së fakultetit të shkencave mjekësore teknike–FSHMT”.

Fituese është shpallur firma JUNIK e cila është në pronësi të Ded Malutaj. Ky individ është shpallur në kërkim në maj të vitit 2022, i akuzuar se ka vjedhur Prokurorinë e Elbasanit nëpërmjet një tenderi.

Vjedhja konsistonte në faktin se Malutaj dhe disa të tjerë kishin marrë paratë për të kryer punimet për sistemin e ngrohje-ftohjes së Prokurorisë Elbasan, por në të vërtetë sistemi i dorëzuar prej tyre nuk ishte funksional. Dëmi kapte një shifër prej rreth 35 milionë lekësh.

Por duket se ky fakt nuk e ka penguar aspak Universitetin e Elbasanit që jo vetëm ta lejojë të marrë pjesë por edhe ta shpallë fitues. Por prisni pasi skandali nuk mbaron këtu. Ndonëse plot tetë firma ofruan vlera më të vogla në tender, kjo nuk u mor aspak parasysh nga universiteti dhe fituese u shpall pikërisht firma JUNIK e Ded Malutaj.

Vlen të përmendet se përveç këtyre tetë firmave, dy firma të tjera morën pjesë me ofertë zero lekë. Sikur të mos mjaftonin këto, vihet re se vlera e ofruar nga Ded Malutaj është sa 90% e vlerës së fondit limit të tenderit.

Të gjitha sa më sipër na tregojnë se kemi të bëjmë as më shumë e as më pak por me një vjedhje spektakolare të parave të shqiptarëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit