I afrohet nga mbrapa dhe e godet në qafë, dalin pamjet e sulmit ndaj policit në Shkodër

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 28.03.2024, 15:56

Pak ditë më parë, efektivi i policisë Admir Okaj u plagos teksa ndodhej jashtë shërbimit në lagjen "Zdrale" të Shkodrës.

Në fillim u tha se 49-vjeçari me detyrë shef rendi në Gramsh, është plagosur nga disa persona për motive banale. Por hetimet zbuluan se autor i kësaj ngjarje ishte 47-vjeçari Ormir Gucia, fqinj i tij.

Edhe pse ngjarja u dokumentua si konflikt për motive të dobëta, pamjet e sulmit tregojnë krejtësisht të kundërtën.

Në këto pamje të publikuara në media, duket momenti kur autori me kapuç dhe syze i afrohet efektivit të policisë dhe e godet nga mbrapa. Ky i fundit ndodhej në trotuar duke biseduar me dy vajza, mbesat e tij, kur sulmohet nga fqinji i tij.

47-vjeçari e godet policin dy herë në qafë dhe njëherë në shpatull dhe tenton të largohet, por polici përpiqet ta ndalojë. Ai nxjerr armën e shërbimit dhe e godet me tytën e armës, por Ormir Gucia largohet me shpejtësi nëpër rrugica. Gjatë përplasjes me fqinjin, arma e policit thuhet se është shkrehur në mënyrë të pavullnetshme.

Ka dyshime se shkak për këtë ngjarje është bërë detyra e policit Okaj i cili më parë ka qenë edhe pjesë e FNSH-së në Shkodër, ku ka shërbyer 23 vjet. Por gjatë kësaj detyre, ai thuhet se ka marrë shumë kërcënime nga anëtarë të grupit kriminal Bajri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit