Në prill të vitit të kaluar, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, prezantoi në ambientet e Kryeministrisë, projektin për rikonstruksionin e Piramidës. Në projektin e prezantuar, Piramida do të kthehej në një qendër inovacioni. Gjatë fjalës së tij, Veliaj theksonte se piramida do të ishte gati brenda 12 muajve dhe se Samiti për dixhitalizimin për Ballkanin Perëndimor do të bëhej në piramidën e re. Këtë fakt e përmendte në fjalimin e tij edhe Rama. Që prej qershorit të vitit të kaluar, Piramida është e rrethuar por punimet për rikonstruksionin e saj nuk kanë nisur.
Madje ajo dita-ditës po shkon drejt degradimit. Për Samitin e dixhitalizimit do të duhej një mrekulli për t’u bërë gati, pasi ai do të zhvillohet në fillim të prillit. Një fakt interesant është se që prej riprezantimit në prill të 2019-ës të projektit për rindërtimin e Piramidës, Veliaj nuk ka folur fare për këtë çështje. Mbetet për t’u parë së kur do jetë prezantimi i tjetër i projektit të piramidës dhe cili do të jetë afati që do të rivendoset, pasi atë Veliaj e ka prezantuar disa herë që nga viti 2016 dhe ka caktuar disa afate që deri tani nuk janë përmbushur.