Briken Calja nuk zhgënjen kurrë, nuk zhgënjen as këtë herë duke mbyllur europianin e peshëngritjes me dy medalje, bronz në dygarësh dhe argjend në shtytje. Ai arriti të marrë dy medalje në Kampionatin Europian të peshëngritjes, i organizuar në Moskë të Rusisë. Në provën e parë, ai arriti të ngrejë 152 kilogramë në stilin e shkëputjes, por më pas gaboi dy herë për 157 kilogramë, duke u renditur i katërti në këtë stil, me të njëjtin rezultat me peshëngritësin bullgar, por ky i fundit ishte 100 gramë më i lehtë në peshën trupore.
Ndërkohë situata u përmbys në stilin e shtytjes. Pasi gaboi në provën e parë për 184 kilogramë, në provën e dytë u përmirësua dhe rrëmbeu medaljen e argjendtë. Ndërsa për provën e e tretë ku mund të merrte medaljen e artë për peshën 188 kg, Calja gaboi. Calja dorëzoi fronin e kampionit të Europës po dy medalje në Rusi janë një sukses i madh për shtangën kuqezi. Ky është një rezultat i mirë për Briken Caljen, megjithëse para garës kishte pretenduar 350 kilogramë në dygarësh.