Është liruar pas më shumë se 6 orësh në polici ish-drejtuesi i Aviacionit Civil, Petrit Sulaj. Sulaj u shoqërua ditën e djeshme bashkë disa punonjës të tjerë pas krizës së krijuar në Rinas, ndërsa numri i tij i celularit doli tek bisedat telefonike të kontrollorëve ajrorë që u shoqëruan. Kreu i Sindikatës, Armando Fezga, përgjegjësja e turnit, Flora Ndreca dhe Muhin Mezini janë vënë në pranga pasi akuzohen se janë organizatorë të kësaj proteste. Mësohet se ai ka thënë në polici se nuk është për ndërprerje të punës por për dialog mes palëve.
Petrit Sulaj ka ushtruar postin e drejtorit të Albcontrol gjatë periudhës kur Ilir Meta ishte në qeveri me Sali Berishën. Ai është lakuar së fundmi edhe nga kryeministri Edi Rama, pasi ky i fundit ka akuzuar presidentin Meta për ngërçin që u krijua në kullën e vrojtimit.