Lekë aty, lekë këtu, lekë kudo... Kap çfarë të kapësh apo ndryshe KÇK. Kjo është bërë prej kohësh moto kryesore e institucioneve shtetërore që organizojnë tendera. Një pjesë të mirë të parave të buxhetit të shtetit bëhen rrush e kumbulla kryesisht nga bashkitë. E në rastin konkret duket se rradhën e ka Emiriana Sako e Bashkisë Durrës. Bëhet fjalë për një tender me numër reference REF-98810-06-22-2021 që ka për objekt “Rikonstruksion varreza”.
Të gjithë jemi dëshmitarë se sa keq është gjendja e varrezave publike në qytetet e Shqipërisë, e megjithatë ndonëse bëhen tendera të ndryshëm, gjendja për habi ngelet thuajse njëlloj. Në rastin konkret bashkia Durrës ka vendosur si fond limit vlerën prej 16,607,000 lëkë të reja pa TVSH, ose rreth 200 milionë lekë të vjetra me TVSH. Këto para i kanë marrë thuajse të gjitha, dy kompanitë që garuan së bashku si një operator. Në këtë tender nuk ka patur fare konkurrencë pasi nuk ka marrë pjesë asnjë garues tjetër përveç fituesit. Më konkretisht bëhet fjalë për bashkimin e operatorëve BALILI KONSTRUKSION & LIQENI VII të cilët kanë ofruar shifrën prej 16,125,752 lëkësh të reja pa TVSH ose rreth 200 milionë lekja të vjetra me TVSH.
Vihet re se kjo shifër është pothuajse identike me fondin limit, përkatësisht sa 97.1%. Pra përveçse mungesës së konkurrencës, kemi edhe një fitues që ka ofruar thuajse të njëtën vlerë sa fondi limit. Të dyja këto faktë janë indicie për dyshime të forta se fituesit e tenderit kanë qenë të paracaktuar që në fillim dhe se këto 200 milionë lekë me shumë mundësi do të përfundojnë në ndonjë vend tjëtër që nuk ka lidhje me varrezat. Ky tender më së paku tregon se kur vjen fjala për përfitime nga tenderat, pushtetarët janë të gatshëm të vjedhin edhe të vdekurit.