Moti i keq “pushton” Shqipërinë! Si paraqitet situata nga jugu në veri

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 29.11.2021, 18:23

Në disa qarqe të vendit janë paraqitur probleme për shkak të motit të keq që ka përfshirë vendin gjatë ditës së sotme. Emergjencat Civile njoftojnë se në qarkun e Shkodrës ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar. Në aksin rrugor Tamarë-Qafa e Bërdalecit ka pasur rënie gurësh dhe inerte. Firma kontraktore ka punuar për pastrimin e saj.

Në qarkun e Durrësit ka fryrje të lumit Erzen në zonën e Sukthit. Situata po monitorohet nga Prefekti i qarkut Durrës.

Ndërsa, në qarkun e Dibrës, në fshatin Vinjoll, njësia administrative Lis, është dëmtuar Ura e Kaçes, e cila është rrëmbyer nga prurjet e zallit dhe është bërë e pakalueshme. Rreth 10 familje janë të izoluara dhe nuk komunikojnë dot me qendrën e fshatit dhe as me qendrën e njësisë administrative.

Kurse, në Elbasan njoftohet se si pasojë e reshjeve që vazhdojnë dhe e prurjeve të mëdha të ujit ka dalje të ujërave të përroit të Gurrës në njësinë administrative Shushicë dhe dalje të lumit Shkumbin në Malasej, njësia administrative Gjergjan, bashkia Elbasan, ku janë nën ujë gati 1 ha toka bujqësore.

Në aksin rrugor Librazhd-Zgosht ka pasur rënie të gurëve në trupin e rrugës. Nga qarqet e tjera të vendit, sipas Emergjencave Civile nuk janë raportuar probleme për shkak të kushteve të motit.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit