Mbjellje pemësh në aksin Llogara-Qeparo/ Jorgo Goro i Himarës i jep 80 milionë lekë firmës me ofertën më të lartë  

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03.06.2022, 22:07

Vazhdojnë çuditë e tenderave në Shqipëri. Kësaj here e ka rradhën Bashkia Himarë e cila ka hapur një tender për të mbjellë pemë në aksin Llogara-Qeparo. Tenderi në fjalë nuk është i papërfillshëm, përkundrazi ka një fond limit me vlerë 8,333,333 lekë të reja pa TVSH ose rreth 100 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Nëse shikon dokumentacionin e tenderit, vihet re se bëhet fjalë vetëm për mbjelljen e disa pemëve në disa xhepa rrugësh. Tenderi në fjalë ka parë si pjesëmarrës vetëm dy kompani garuese nga të cilat për habi ka fituar ajo që ka dhënë ofertën më të lartë.

Më konkretisht shikohet se kanë marrë pjesa bashkimi i firmave “AGRO -KORANI” SHPK dhe “BE-IS ” SHPK me vlerë 6,992,000 lekë të reja pa TVSH si dhe firma “Pastrime Silvio” SHPK me ofertë: 5,833,240 lekë të reja pa TVSH. Bashkia Himarë ka vendosur që fitues të shpallë pikërisht bashkimin e firmave që kanë ofruar edhe vlerën më të lartë.

Në fakt nëse bëjmë një diferencë mes firmave fituese dhe firmës tjetër që ofroi më pak, shihet se bëhet fjalë për një diferencë prej rreth 14 milionë lekësh të vjetra me TVSH, shifër kjo jo e vogël kur bëhet fjalë për mbjellje pemësh. Në rastin më të mirë këto para do të ishin kursyer nga paratë e taksapaguesëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit