Domatet shqiptare të rrezikshme për shëndetin, Kosova merr masa dhe i dërgon në laborator

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 07.06.2023, 11:22

Kosova nuk është e sigurt për përbërjen kimike të domates që futet nga Shqipëria, madje mësohet se ajo konsiderohet e rrezikshme. Agjencia e Ushqimit në Kosovë ka ngritur alarmin se domatja përmban një sasi hormonesh shumë më të madhe se norma e lejuar.

Domatet aktualisht kanë shkuar në laborator dhe po pritet përgjigja në lidhje me përbërjen e tyre. Ende nuk ka një njoftim zyrtar në lidhje me rrezikun që paraqet ky ushqim, por dyshimet e ngritura dhe dërgimi i mostrave në laborator tregon qartë se ka dyshime të forta se po tregtohen domate të rrezikshme për shëndetin e njerëzve.

AUV, Autoriteti i Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, ka dalë me një qëndrim, ku shprehet se është i hapur ndaj çdo denoncimi që mund të behët nga tregtarët apo qytetarët. “Përveç kontrolleve zyrtare, pa dyshim se si burime të informacioneve, në rrugë zyrtare që kemi, pranojmë njoftime për çdo produkt që paraqet dyshim apo rrezik për konsumatorin.

Kemi përcjellë edhe informata që jepen nga mediat për ngritje të dyshimeve dhe mbi bazën e kësaj, ne si AUV, kemi marrë masa shtesë të kontrollit, me theks të veçantë kontrollin e domateve me origjinë nga Shqipëria. AUV është në pritje të rezultateve të testeve laboratorike të mostrave zyrtare të dërguara. Pas pranimit të rezultateve, varësisht nga gjetjet, do merren veprime”, thuhet në deklarimin për media që kanë bërë nga Agjencia e Ushqimit.

Gjithsesi, mësohet se deri në daljen e përgjigjeve të analizave, domatja shqiptare do të vijojë të jetë prezente në tregun e Kosovës. Ato së fundit janë kthyer mbrapsht nga Bashkimi Evropian, me arsyetimin se nuk i përmbushin parametrat e sigurisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit