Sherri i përgjakshëm mes futbollistëve U21, nën hetim 4 lojtarë të Partizanit dhe Erzenit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 17.04.2024, 13:46

Katër futbollistë të ekipeve U21, Erzeni dhe Partizani janë proceduar penalisht pas sherrit fizik në dhomat e zhveshjes.

Konflikti ndodhi ditën e djeshme , rreth orës 14:00 pas përfundimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet tyre, në fushën sportive “Tofik Jashari”, në Shijak.

Futbollistët me iniciale J. H., 20 vjeç, R. Ç., 20 vjeç, J. S., 18 vjeç dhe M. D., 22 vjeç janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin dhe kanë dëmtuar ambientet e dhomave të zhveshjes.

JOQ ALBANIA publikoi edhe pamjet e dhomës së zhveshjes e cila ishte mbuluar në gjak pas sherrit masiv mes të rinjve futbollistë.

Njoftimi i policisë:

U konfliktuan fizikisht dhe dëmtuan ambientet e dhomave të zhveshjes, pas përfundimit të ndeshjes së futbollit “Erzeni-Partizani”, procedohen penalisht 4 lojtarë të 2 ekipeve të kategorisë U-21. Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera për konfliktin e ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 14:00, ndërmjet lojtarëve të ekipeve të kategorisë U-21, “Erzeni” dhe “Partizani”, pas përfundimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet tyre, në fushën sportive “Tofik Jashari” (aktivitet për të cilin nuk ishte njoftuar Policia), ju informojmë se:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”, për 4 lojëtarë të 2 ekipeve të futbollit, konkretisht shtetasit J. H., 20 vjeç, R. Ç., 20 vjeç, J. S., 18 vjeç dhe M. D., 22 vjeç.

Pas përfundimit të ndeshjes, këta shtetas janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin dhe kanë dëmtuar ambientet e dhomave të zhveshjes. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit